Sprache waehlen

Arsimi dhe sistemi shkollor

Mundësitë e arsimit falas në Gjermani bëjnë të mundur që të gjithë fëmijët të marrin një arsim të mirë shkollor. Prandaj, të gjithë kanë të njëjtat kërkesa themelore për një jetë të suksesshme pune.

Arsimi dhe sistemi shkollor

Ndjehuni të lirë ta shpërndani

Arsimi është shumë i rëndësishëm në Gjermani, pasi një shkollim i mirë rrit shanset për një jetë të mirë. Për këtë arsye shumica e shkollave në Gjermani ofrojnë mësim falas. Shteti dëshiron t´ju mundësojë vajzave dhe djemëve një fillim të mbarë në jetë. Me qëllim që kjo të funksionojë, ekziston i ashtuquajturi detyrim shkollor, dmth të gjithë fëmijët duhet të ndjekin shkollën derisa të mbushin 16 vjet.

Për disa njerëz fjala “detyrim shkollor” tingëllon ndoshta në plan të parë si fjalë negative. Por faktikisht është një gjë pozitive, sepse në këtë mënyrë çdo fëmijë ka të drejtën të përfundojë një shkollë, pavarësisht të ardhurave financiare të prindërve. Sistemi shkollor është çështje e bundeslandit në Gjermani. Edhe pse çdo bundesland ka veçanëritë e veta, sistemet shkollore të tyre janë të përafërta. Prandaj më poshtë do të sqarojmë pikat më të rëndësishme lidhur me këtë temë.

Kopështi i fëmijëve

Shumë fëmijë shkojnë në kopësht nga mosha tre vjeç derisa bëhen gjashtë vjeç. Kopështi nuk është me detryrim në Gjermani. Është gjë e mirë, nëse fëmija qëndron për një kohë të gjatë pranë familjes së vet. Por edhe kopështi mund të jetë i rëndësishëm, për shembull për të gjetur shokë të së njëjtës moshë ose për të mësuar gjuhën gjermane.

Ndaj ne si Deutschland-Begleiter ju rekomandojmë, që të mendoheni mirë dhe ta dërgoni fëmijën tuaj në një kopësht, nëse në familjen tuaj flisni rrallë gjermanisht. Kur fëmijët të shkojnë në shkollë dhe flasin pak gjermanisht, atëherë kjo do të jetë një pengesë për ata, pasi nuk do të mund ta ndjekin mësimin siç duhet. Në kopësht fëmijët mësojnë aftësitë e para që ju nevojiten më pas në shkollë duke përdorur lojëra të ndryshme. Për fëmijët nën moshën tre vjeç ekzistojnë në shumë vende çerdhe ku mund ti regjistroni fëmijët.

Shkolla fillore dhe shkollat emëtejshme

Në Gjermani të gjithë fëmijët mbi moshën gjashtë vjeç ndjekin një shkollë. Katër vitet e para fëmijët ndjekin shkollën fillore. Aty ata mësojnë për shembull të lexojnë, të shkruajnë dhe të llogarisin. Kur fëmijët mbarojnë shkollën fillore, atëherë vendoset bashkë me prindërit se cilën shkollë fëmija do të ndjekë në të ardhmen. Në varësi të interesave dhe të arritjeve fëmija mund të ndjekë një shkollë të mëtejshme: Ekzistojnë gjimnaze, shkolla të përgjithshme, shkolla të mesme (të ashtuquajtura Realschulen). Në disa bundeslande ekzistojnë edhe modele të tjera të shkollave të përgjithëshme, ku ndërthuren modele të ndryshme shkollore.

Shkollat ndryshojnë nga njëra – tjetra përsa i përket kohëzgjatjes dhe mundësive që oftojnë përsa u përket profesioneve. Në Realschule dhe Mittelschule mund të përfundosh shkollën pas 9 vitesh ose nxënësi e zgjat shkollën edhe një vit (dmth 10 vite) dhe merr diplomën e Realschule, që ndryshe quhet diploma e pjekurisë. Këto dy shkolla i ndjekin zakonisht nxënës që synojnë të mësojnë një profesion, për të cilin nuk është nevoja të studiosh me patjetër.

Nxënësit që ndjekin gjimnazin për 12 ose 13 vite bëjnë në fund maturën ose një maturë të specializuar. Diploma e maturës ju mundëson të rinjve të ndjekin një universitet ose një shkollë të lartë për një degë të caktuar. Pra sistemi shkollor në gjermani është i shumëllojshëm. Kështu çdo fëmijë mund të gjejë rrugën e vet të arsimit në bazë të interesave që ka dhe arritjeve në shkollë.

Edukimi dhe sjellja në shkollë

Arsimimi nuk duhet ngatërruar me edukimin. Parimisht pridërit janë përgjegjës për edukimin e fëmijëve të tyre. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e fëmijës. Shkolla është përgjegjëse për shkollimin e tyre.

Çdo fëmijë që ndjek shkollën në Gjermani është i pajisur me gjërat kryesore si çantë, stilolapsa dhe letër. Në shkollë fëmijët pajisen me materiale të tjera shkollore. Kur fëmijët kanë për të bërë detyra shtëpie, atëherë ata duhet ti bëjnë ato mbasditeve në shtëpi dhe ditën tjetër ti dorëzojnë në shkollë. Fëmijët e vegjël marrin zakonisht mbështetje nga prindërit e tyre ose personat më të mëdhenj për të bërë detyrat e shtëpisë. Fëmijët më të rritur i bëjnë zakonisht vetë detyrat e shtëpisë.

Mësuesit në shkollat në Gjermani nuk vënë dorë mbi fëmijët në shkollë – një gjë e tillë është absolutisht e ndaluar. Nëse një fëmijë nuk sillet brenda normave, atëherë ai merr një paralajmërim. Nëse fëmija e përsërit sjelljen e gabuar ose nëse sillet shumë keq, atëherë ai duhet të bëjë detyra shtesë ose shkolla i dërgon një letër prindërve të fëmijës. Nëse edhe ky hap nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit, atëherë ndodh që fëmija të përjashtohet nga shkolla. Prindërit e fëmijës duhet të kërkojnë më pas një shkollë tjetër të re për femijën e tyre.

Shkollimi imëtejshëmprofesional

Nxënësit, të cilët kanë përfunduar të paktën një shkollë 9 vjeçare, mund të aplikojnë për të ndjekur një shkollë profesionale. Mësimi në këtë lloj shkolle përbëhet në përgjithësi duke u ndërthurur me punën në një ndërmarrje dhe me mësimin e rregullt në shkollën profesionale. Shkolla e përfunduar profesionale në Gjermani gëzon një emër të mirë në rang ndërkombëtar, pasi nxënësit marrin dije të thelluar dhe të specializuar për profesionin e tyre.

Edhe personat që duan të studiojnë kanë mundësi të ndryshme studimi. Kështu për shembull ekziston mundësia në disa shkolla të larta, që studentët te ndjekin një shkollë të lartë duale. Ky lloj studimi ngjason me shkollën profesionale, ku studenti duhet të punojë praktikisht në një firmë dhe njëkohësisht të ndjekë studimet në shkollën e lartë. Profesionet si mjek, mësues apo profesione të tjera, studentët mund ti mësojnë në një universitet. Kritere të rëndësishme për të ndjekur studimet janë njohuritë e shkëlqyera të gjuhës gjermane si dhe një diplomë pjekurie apo diplomë mature me rezultate shumë të mira.

Në Gjermani i jepet shumë rëndësi të mësuarit gjatë gjithë jetës. Edhe nëse punon në një profesion të caktuar, pritshmëritë janë të tilla, që personi të vazhdojë të ndjekë specializime dhe trajnime, me qëllim që njohuritë e tij të jenë sa më aktuale. Përveç kësaj ekziston mundësia për shumë lloje profesionesh që të bëhesh mjeshtër për një profesion të caktuar, të ndjekësh maturën në shkollën e natës apo të vazhdosh një shkollë tjetër profesionale nëse e ke ndëprerë për një kohë të caktuar. Ekzistojnë madje universitete, të cilat mundësojnë studime me korrespodencë për të pasur shanse më të mira në profesion.

Për shkarkim

Këtë tekst mund ta shkarkoni në formatin PDF në gjuhen tuaj: